Gjatë periudhës Tetor 2021 – Shkurt 2022, ekipi i projektit “Building Partnership for Youth, Peace and Security” bëri ndalesa në Tiranë, Pukë, Elbasan, Korçë, dhe Kamëz. Me mbështetjen e edukatores bashkëmoshatare, Flutura Brakaj, u organizuan 5 punëtori lokale me të rinj dhe të reja të moshës 16-29 vjeç.
Aktiviteti synonte të familjarizonte pjesëmarrës-it/et me koncepte si Paqja, Siguria dhe më specifikisht, përfshirjen e rinjve/rejave në procese të paqes dhe sigurisë; njohjen me 5 shtyllat kryesore të Rezolutës 2250 së Këshillit të Sigurimit të OKB. Në të njëjtën kohë, aktiviteti shërbeu si një hapësirë ku pjesëmarrësit/et mund të reflektonin në grup mbi rëndësinë e kulturës së paqes, tolerancës, dialogut ndërkulturor, transformimit të konflikteve etj. e të gjenerojnë dhe hartojnë koncept-ide për aktivitete e nisma rinore, që trajtojnë konceptin e paqes sipas këndvështrimit të tyre.
Bazuar në përshtypjet e pjesëmarrës-eve, aktiviteti i plotësoi pritshmëritë te cilat ata/ato kishin qe në nisje të aktivitetit. Ata/ato u shprehën se pjesëmarrja në punëtori i bëri të reflektojnë mbi rëndësine e edukimit jo-formal e të ishin më besimplotë në rolin e tyre në proceset e paqes. Ata/ato gjithashtu dëshirojnë të shohin më tej mekanizma që promovojnë kulturën e paqes në Shqipëri apo përfshirjen e mëtejshme të grupeve të margjinalizuara në procese të paqes dhe sigurisë.
Punëtoria Lokale 1:
Ekipi realizoi Punëtorinë e parë në Tiranë, duke hapur siparin e aktiviteteve të këtij lloji në kuadër të Projektit “Building Partnership for Youth, Peace and Security”. Në aktivitet morën pjesë 14 djem dhe vajza, kryesisht studentë dhe gjimnazistë.
Pjesëmarrës-it/et treguan përkushtim e motivim gjatë punëtorisë. Mes bisedave dinamike, ata/ato sollën në vëmendje një sërë tematikash për të cilat propozuan zgjidhje konkrete në bashkëpunim me aktorë lokalë e palë të tjera të interesuara. Ata/ato propozuan zbatimin e projekt ideve që synojnë të rinjtë/të rejat jashtë kryeqytetit si dhe promovojnë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në aktivitete sociale dhe veçanërisht e fëmijëve pa kujdes prindëror që jetojnë në qendra rezidenciale etj.
Si rrjedhojë e përvojave të mëparshme të angazhimit dhe atyre të aktivizmit shoqëror, këta të rinj/të reja shfaqën dëshirën për t’u angazhuar më tej në identifikimin e zgjidhjeve të problematikave që prekin komunitetin e të rinjve.
Punëtoria Lokale 2.
Frymëzuar nga suksesi i punëtorisë së parë, punëtoria e dytë u zhvillua në qytetin e Pukës, 6-7 Nëntor 2021, me mbështetjen e Qendra Rinore – Pukë. Në aktivitet morën pjesë 20 të rinj dhe të reja nga Puka, si dhe nga zonat përreth.
Ardhja e tyre nga i njëjti vend, me të njëjtat zakone, madje edhe shoqëria me njëri tjetrin i bëri ata të ishin më bashkëpunues dhe të ndanin të njëjtat ide mbi tematikat e diskutuara. Pjesëmarrësit-et propozuan nisma që do të vendosnin fokusin tek:
- Zbulimi i talenteve të reja në fusha të ndryshme, si edukimi, sporti, letërsia etj.;
- Rritja e ndërgjegjësimit të rinjve/të rejave, por edhe aktorëve përgjegjës që punojnë me të rinjtë si mësuesit, përfaqësuesit e institucioneve, punonjësit rinorë etj., mbi rëndësinë e kulturës së paqes dhe përfshirjen e tyre në këto procese;
- Organizimi i një marshimi paqësor që do të bëjë bashkë mbi 200 persona: të rinj/reja, qytetarë, aktorë të rëndësishëm të komunitetit etj.
Punëtoria u përmbyll me ide për realizimin e aktiviteteve të cilat vendosin theksin në shpirtin solidaritar që qyteti duhet të ketë.
Punëtoria Lokale 3.
Punëtoria e Tretë, në kuadër të projektit “Building Partnership for Youth, Peace and Security” , u realizua në ambientet e “ Woman Center for Development and Culture – Albania”, në Elbasan.
Në këtë aktivitet morën pjesë 14 të rinj dhe të reja energjikë dhe me dëshirë për t’u përfshirë në diskutime për problematikat me të cilat ata hasen çdo ditë në komunitetin në të cilin jetojnë.
Ata diskutuan rreth realizimit të nismave të tjera si:
- “Peace is the way”, ide e cila konsiston në këshillim dhe asistencë online për të rinj/ të reja që hasen me çrregullime emocionale;
- “Family Relationships”, projekt ide e cila fokusohet në konsolidimin e marrëdhënies prind-fëmijë;
- Bloom ISHC (Informative Sexual Harassment Corner), një hapësirë virtuale, përkushtuar informimit, ndërgjegjësimit të grupmoshës së re mbi ngacmimet seksuale, si dhe për raportimin e këtyre rasteve.
Në përfundim të kësaj punëtorie, të rinjtë dhanë ide dhe mendime se çfarë mund të bëhet më shumë për të rritur numrin e aktiviteteve me karakter jo formal dhe përfshirjen më të gjerë të të rinjve dhe të rejave në aktivitete që lidhen me paqen dhe sigurinë.
Punëtoria Lokale 4.
Rrugëtimi i UN Association Albania, në kuadër të projektit “Building Partnership for Youth Peace and Security” e kishte ndalesën e radhës në Qytetin e Korçës, 5 – 6 Dhjetor.
Në aktivitet morën pjesë 8 djem dhe vajza energjikë, të cilët vendosën theksin tek mungesa e mundësive për realizimin e aktiviteteve të këtij lloj formati, ku metodologjia e përdorur është ajo jo – formale.
Diskutimi u fokusua në një sërë tematikash mbi paqen dhe sigurinë dhe konceptualizimin e disa projekt-ideve mbi:
- Krijimin e hapësirave ku rinjtë/të rejat të flasin për çështje si roli i tyre në proceset paqeruajtëse;
- Ndërgjegjësimin mbi fenomenin e dhunës në familje, shoqëri, shkollë dhe më gjerë;
- Njohjen e mëtejshme me format e diskriminimit dhe gjuhën e urrejtjes etj.
Cikli i diskutimeve u përmbyll duke folur për sfidat dhe nevojat gjerësisht në komunitetin e tyre e që pengojnë drejtpërdrejtë të rinjtë/ të rejat siç është edhe mungesa e aktiviteteve me karakter të edukimit jo – formal.
Punëtoria Lokale 5.
Punëtoria e fundit e realizuar në Kamëz, 26-27 Shkurt bëri bashkë djem dhe vajza, anëtarë dhe aktivistë të ‘Grupi Ata’.
Punëtoria e realizuar me këta të rinj/ të reja ishte plot dinamika dhe aktivizim maksimal nga djemtë dhe vajzat të cilët shprehën mendimet e tyre rreth koncepteve kryesore si paqja dhe siguria dhe mënyra si perceptohen këto në komunitetin e tyre.
Kështu, u krijuan dy grupe pune të cilat punuan për të propozuar projekt-ide në lidhje me:
- Përfshirjen e Qeverive Studentore të Gjimnazeve në Kamëz dhe të rinjve/ rejave të zonës në një marshim paqësor me mesazhe rreth paqes, ndjekur më pas nga një aktivitet pastrimi në njërin prej parqeve të zonës;
- Realizimin e aktiviteteve advokuese nga studentët mbi problematikat e transportit në Kamëz;
- Ndërgjegjësimi i institucioneve të edukimit në lidhje me sfidat që hasin studentët.
Në përfundim të aktivitetit, të rinjtë/ të rejat shprehën dëshirën që në qytetin e tyre të realizoheshin sa më shumë aktivitete me fokusin tek paqja dhe siguria dhe njohjen e mëtejshme me Rezolutën e 2250 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.