Në kuadër të projektit ”Building Partnership for Youth, Peace and Security”, një nga qëllimet kryesore të cilit është krijimi i një rrjeti të strukturuar të Organizatave të Shoqërisë Civile, akademikësh, partnerësh rajonalë dhe ndërkombëtarë, përgjatë 2022, u zhvilluan dy punëtori të bashkëdizenjimit përkatësisht në datat 12-13 Shkurt dhe 5-6 Mars.
Këto punëtori, nën facilitimin e Alba Brojka – Ish Përfaqësuese e Posaçme për Rininë dhe Sigurinë, gjatë kryesimit sllovak dhe shqiptar në zyrën e OSBE-së shërbyen si proces i punës së përbashkët për dizenjimin e Rrjetit Kombëtar “Të Rinjtë, Paqja dhe Siguria”. Duke bërë bashkë të gjithë aktorët e identifikuar (të zgjedhur në bazë të interesit të tyre të treguar, përvojës së mëparshme, shumëllojshmërisë të qasjeve ndaj paqes dhe ndërtimit të saj, si dhe kontributit të tyre të treguar gjatë gjithë fazës së parë), të dy punëtoritë ndoqën një qasje hap-pas-hapi: duke filluar nga krijimi i konceptit & strukturës së Rrjetit; përcaktimi ligjor dhe përgatitja e Rregullave të Funksionimit dhe Organizimit; dhe identifikimi i prioriteteve të punës gjatë vitit fillestar.
Ky proces bashkërendues është një përpjekje e përbashkët e United Nations Association Albania dhe Kongresit Rinor Kombëtar, të angazhuar në punën me, dhe për të rinjtë, në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, si dhe me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Së bashku, synohet advokimi për prezantimin e proceseve miqësore për të rinjtë/rejat brenda strukturave të politikëbërjes, bashkëpunimit rajonal, dhe në sferën e edukimit qytetar.
Në punëtorinë e parë, realizuar më 12-13 Shkurt morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të rinj/reja nga organizime/këshilla studentore, grupime informale, organizata rajonale dhe partnerë ndërkombëtarë aktive në Shqipëri etj. Takimi nisi me një pasqyrë të përgjithshme të kontekstit të sigurisë dhe zbatimit të Agjendës “Të Rinjtë, Paqja dhe Siguria” në Shqipëri. Diskutimi teorik u përplotësua me një prezantim nga Znj. Heidi Sarineen – Koordinatore e Projektit për Edukimin në Ndërtimin e Paqes nga organizata simotër (UNA Finlandë) mbi përvojën e ndërtimit të një Rrjeti Kombëtar dhe praktikat më të mira (Shënim: Finlanda është vendi i parë në botë që ka një plan-veprimi kombëtar që konkretizon hapat për zbatimin e Agjendës “Të Rinjtë, Paqja dhe Siguria” në vend.) Më tej, aktiviteti ndoqi një qasje më praktike: Pjesëmarrës-it/et, të ndarë në grupe dhanë sugjerimet e tyre mbi strukturën, anëtarësinë, rregullat e funksionimit të rrjetit, vizionin e misionin e tij, të rregulluar nga një statut i brendshëm. Anëtar-ë/et e rrjetit, sipas diskutimeve, do mund të ishin OSHQ, organizata e këshilla studentorë, grupe jo-formale, aktivistë dhe institucione akademike, duke nxitur kështu një qasje ndër-disiplinore në punën e Rrjetit.
Këta anëtar-ë/e do të punojnë së bashku për të promovuar paqen dhe sigurinë, nëpërmjet angazhimit aktiv dhe kuptimplotë të të rinjve në këto procese. Bazuar në diskutimet përgjatë sesioneve të punëtorisë, rrjeti do të punonte për materializimin e Agjendës në Shqipëri përmes një plan-veprimi kombëtar, rritjen e ndërgjegjësimit mbi Agjendën, promovimin e saj si një çështje ndërsektoriale etj.
Takimi i dytë u mbajt më 5-6 Mars me synim përcaktimin e mëtejshëm të strukturës së Rrjetit, si dhe vendosjen e një vizioni të përbashkët. Punëtoria filloi me një përmbledhje të sesionit të kaluar për të kaluar në specifika si: përgjegjësitë e secilës strukturë të rrjetit, fokusin e punës dhe dokumentacionin që do të përdoret për të organizuar procesin e punës. Gjatë aktivitetit, u diskutua mbi vizionin dhe objektivat mbi të cilat do të bazohej puna në vazhdimësi e Rrjetit Kombëtar ”Të Rinjtë, Paqja dhe Siguria”.
Diskutimet teorike, shkëmbimet e ideve dhe ushtrimet praktike të dy aktiviteteve i sollën pjesëmarrës-it/et në vizionin e Rrjetit:
Rrjeti do të ndërtohet mbi aspiratat për një shoqëri të drejtë dhe të lirë, ku të rinjtë luajnë një rol aktiv në ndërtimin e paqes dhe të një demokracie të qëndrueshme, me një mision të qartë në promovimin e vlerave të paqes dhe sigurisë nëpërmjet advokimit në institucionet publike.
Këto punëtori bashkëdizenjuese u përmbyllën me nënshkrimin e Deklaratës së Përkushtimit, në ceremoninë hapëse të Forumit Rinor të Paqes 2022, si një hap i radhës, në angazhimin dhe kontributin e mëtejshëm të partnerëve për themelimin e Rrjetit.
**Këto aktivitete organizohen me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar në Kuadër të Tiranës Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 si dhe me mbështetjen financiare të zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
#Youth #Peace #Security #YPSAlbania #EYC2022 #EuropeanYouthCapital2022 #ActivateYouth