Në kuadër të ditës të Kombeve të Bashkuara, Shoqata Shqiptare për Kombet e Bashkuara organizoi më 26 Tetor Tryezën e Rrumbullaktë “Kontributi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit – Perspektiva Rinore mbi Agjendën e Përbashkët“. Të pranishëm në event ishin z. Ferit Hoxha, Përfaqësues i Përhershëm i Republikë së Shqipërisë në OKB, Znj. Klenia Kasanai, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, si dhe partnerët e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, Paqen dhe Sigurinë.
Aktiviteti vjen në një kohë kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka publikuar “Agjendën e Përbashkët” pas një viti konsultimesh shumëpalëshe, organizuar në kuadër të përvjetorit të 75 të OKB. Publikimi është një ftesë për të gjitha shtetet anëtare të ndërmarrin veprime dhe dizenjojnë politika në funksion të 12 prioriteteve të evidentuara, midis tyre: “Të dëgjuarit dhe bashkëpunuarit me të rinjtë”. Paralelisht, Shqipëria është në pritje të marrjes së Mandatit si Anëtare jo-e Përhershme në Këshillin e Sigurimit përgjatë periudhës 2022-2023. Edhe pse në prioritetet e saj renditen Agjenda “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, Klima, apo të Drejtat e Njeriut, ndër to, nuk artikulohen qartë perspektivat rinore dhe çështjet me interes për të rinjtë.
Rrjedhimisht përpos prezantimit të thelluar të prioriteteve të Shqipërisë në këtë rol nga Z.Hoxha, pjesëmarrësit diskutuan për hapësirën e të rinjve në këto zotime.
Biseda preku çështje si:
- mënyra si çështjet e paqes dhe sigurisë perceptohen në përditshmëri;
- pjesëmarrja e të rinjve në proceset e paqes dhe mekanizmat për ta bërë të mundur këtë;
- pengesat që dekurajojnë angazhimin e të rinjve në këtë drejtim, si dhe
- nismat konkrete të institucioneve, njësive të qeverisjes vendore, të organizatave të shoqërisë civile apo individëve mund ta zbusin këtë hendek.
Gjatë bisedës, Z. Hoxha shprehu qendrimin se të Rinjtë nuk janë një segment i veçuar i prioriteteve të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, por një faktor përbërës i secilës prej tyre. Ndërkohë, Znj. Kasanai, mbështetur nga përfaqësues të Rrjetit theksoi vazhdimisht bashkëpunimin mes palëve të interesit: institucione – shoqëri civile, Agjencia Kombëtare e Rinisë – të rinj, përmes projekteve dhe nismave të ndërtimit të kapaciteteve.
Ekipi i Projektit “Building Partnership for Youth, Peace and Security”, në kuadër të së cilit u zhvillua dhe aktiviteti, do ta vazhdojë këtë bisedë përmes Sondazhit Kombëtar mbi Perceptimet e të Rinjve mbi Paqen. Me ndihmën e partnerëve që po bashkëdizenjojnë Rrjetin Kombëtar për Të Rinjtë, Paqen dhe Sigurinë, të njëjtat pyetje do të konsultohen me të rinj nga i gjithë vendi dhe nga sfonde të ndryshme.
*Ky post u përgatit në kuadër të Projektit “ Building Partnership for Youth, Peace and Security”. Në funksion të qëllimit të Projektit, ekipi ynë ka publikuar një Sondazh Kombëtar që synon të mbledhë këndvështrimet e të rinjve mbi paqen. Mos ngurroni të ndani tuajat këtu, si dhe të ftoni bashkëmoshatarët tuaj https://bit.ly/Youth-Survey-on-Peace
Çfarë do të thotë paqe për ju?